Federica Mogherini arrestohet në Bruksel për mashtrim në tendera publikë — Hetime edhe për Kolegjin e Europës

Data

Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Europës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, është ndaluar sot në Bruksel si pjesë e një hetimi të gjerë për mashtrim në tendera publikë, raportojnë mediat belge dhe Corriere della Sera.

Mogherini, një prej figurave më të njohura të diplomacisë europiane, rezulton të jetë mes tre personave të ndaluar nga autoritetet, pas bastisjeve të kryera në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe në disa godina të Kolegjit të Europës në Bryzh.

Hetimi: Mashtrim, korrupsion, konflikt interesi

Sipas gazetës belge Le Soir, ngjarjet e hetuara i përkasin periudhës 2021–2022, dhe akuzat përfshijnë:

  • mashtrim në ndarjen e tenderave publikë,
  • korrupsion,
  • konflikt interesi,
  • shkelje të sekretit profesional.

Dyshimet lidhen me një tender të shërbimit diplomatik të BE-së për një program nëntëmujor trajnimi për diplomatët e rinj europianë — “Akademia Diplomatike e Bashkimit Europian” — kontratë që përfundoi tek Kolegji i Europës, ku Mogherini shërben si rektore.

Hetuesit po verifikojnë nëse përfaqësues të Kolegjit kanë patur informacion të paraprak mbi kriteret e tenderit, duke krijuar një avantazh të padrejtë në procesin e përzgjedhjes.

Prokuroria Evropiane në krye të operacionit

Operacioni drejtohet nga Prokuroria Evropiane (EPPO), organi i specializuar i BE-së kundër mashtrimit me fondet e Unionit.

Para aksionit policor të sotëm, EPPO kishte kërkuar heqjen e imunitetit për disa prej të dyshuarve — kërkesë që është aprovuar.

Pjesa që prek edhe Shqipërinë

Në Shqipëri, Mogherini njihet edhe për marrëdhënien e afërt me kryeministrin Edi Rama, dhe për rolin e saj në sjelljen e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, një projekt i shoqëruar shpesh me akuza për mungesë transparence dhe dyshime mbi procedurat.

Ngjarja e sotme pritet të krijojë jehonë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të BE-së, duke vënë në pikëpyetje integritetin e një prej figurave më të rëndësishme të politikës së jashtme europiane të dekadës së fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related