Ndalimi i Mogherinit në Bruksel trondit politikën në Tiranë: Opozita ngre dyshime për lidhje me projektin e Kolegjit të Europës në Shqipëri

Data

Reagime të forta politike kanë shoqëruar lajmin për ndalimin në Bruksel të ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO). Deputetët e opozitës në Shqipëri kërkuan sqarime të menjëhershme, duke ngritur dyshime se hetimi në Belgjikë mund të ketë lidhje edhe me procedurat e diskutueshme për ngritjen e Kolegjit të Europës në Tiranë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, tha se ndalimi i Mogherinit hap një çështje të re që lidhet drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë.

“Rektore aktualisht është arrestuar për shkak të korrupsionit dhe shpresoj të mos jetë e lidhur me korrupsionin për zgjedhjen e Kolegjit të Europës në Shqipëri. Të shpresojmë që kjo nuk ka lidhje me vendin tonë,” u shpreh Gjoni.

Edhe Partia e Lirisë reagoi ashpër. Deputeti Tedi Blushi tha se arrestimi i Mogherinit është “goditje e rëndë për propagandën e qeverisë”, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e diplomatëve të huaj për mbështetje politike.

“Ndaloni përdorimin e diplomatëve të korruptuar në Tiranë. Ja ku e keni Federica Mogherinin, e arrestuar. Ju i dhatë tokë publike në zemër të Tiranës për Kolegjin e Europës. Pse? Shqiptarët duhet të dëgjohet, jo të mashtrohen,” u shpreh Blushi.

Çfarë ndodhi në Bruksel?

Sipas mediave belge, mes tyre Le Soir, Prokuroria Evropiane ka kryer kontrolle në:

  • Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel
  • Disa godina të Kolegjit të Europës në Bruges

Në pranga kanë përfunduar tre persona, përfshirë vetë Mogherinin.

Hetimi lidhet me:

  • Mashtrim në tendera publikë
  • Korrupsion dhe konflikt interesi
  • Shkelje të sekretit profesional
  • Favorizim në dhënien e kontratave të BE-së

Hetuesit po verifikojnë nëse përfaqësues të Kolegjit të Europës kanë qenë të informuar paraprakisht mbi kriteret e tenderit për programin 9-mujor të trajnimit të diplomatëve të rinj të BE-së, një kontratë e vlefshme dhe shumë e kontestuar brenda institucionit.

Implikimet për Shqipërinë

Projekti i Kolegjit të Europës në Tiranë, i mbështetur personalisht nga Mogherini dhe qeveria shqiptare, është shoqëruar prej fillimit me akuza të opozitës për:

  • mungesë transparence,
  • procedura të dyshimta,
  • favorizime politike,
  • përdorim të tokës publike pa debat.

Arrestimi i Mogherinit shton presionin mbi qeverinë Rama, ndërsa opozita kërkon që organet hetimore shqiptare dhe institucionet vendase të verifikojnë çdo procedurë të lidhur me këtë projekt.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related