Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë ankimin e qeverisë lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndaj së cilës GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Tashmë çështja i ka kaluar për vendimmarrje trupës prej 8 gjyqtarësh të Kushtetueses.
Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, çështja ka kaluar filtrin e parë dhe është pranuar për shqyrtim, por vendimi final për fatin e Ballukut – nëse do të vijojë të jetë e pezulluar apo do të rikthehet në detyrë – do të merret nga të tetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Kur pritet vendimi?
Për të mundësuar zhvillimin e mbledhjes së sotme, gjyqtarët duhet të jenë njohur me aktet e dosjes të paktën 48 orë përpara, siç ka ndodhur edhe në rastin e gjyqtares Xhaferrllari. Nëse kjo procedurë është respektuar dhe trupa gjykuese mblidhet sot, vendimi duhet të shpallet para orës 17:00.
Në varësi të vlerësimit të Kushtetueses, çështja mund të:
- shqyrtohet vetëm mbi dokumente, bazuar në pretendimet e paraqitura nga palët, ose
- të kalohet në seancë plenare publike, ku palët do të dëgjohen në sallën e gjyqit.
Pse ka rëndësi ky vendim
Pezullimi i Ballukut është një prej çështjeve më të rëndësishme të ditëve të fundit, pasi ajo është shpallur e pandehur nga SPAK për shkelje në procedurat e prokurimit për tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Qeveria ka ankimuar pezullimin, duke kërkuar rikthimin e saj në detyrë, ndërsa vendimi i Kushtetueses do të jetë vendimtar për vijimin ose jo të ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore nga ana e saj.
Tashmë sytë e politikës dhe të opinionit publik janë të drejtuar te Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë një vendim që mund të ndikojë ndjeshëm në skenën politike dhe institucionale të vendit.
