Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot lidhur me shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese të ankimit të qeverisë për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Berisha i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që çështjen ta zhvillojë në seancë publike, duke theksuar se transparenca është e domosdoshme në një rast që sipas tij ka përmasa të jashtëzakonshme.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama po ushtron presion mbi Gjykatën në forma të ndryshme, ndërsa ai kërkoi nga gjyqtarët që të denoncojnë çdo ndërhyrje në punën e tyre.
“Ky akt i Edi Ramës lidhet vetëm me implikimin e tij në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas. Rama kundërmon sot në Evropë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se “rishkruan dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut” për të justifikuar qëndrimet e qeverisë në rastin Balluku.
Berisha e cilësoi situatën në Gjykatën Kushtetuese si një “betejë të paprecedentë” mes, sipas tij, “institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes”.
Duke e cilësuar Ramën si “bashkëpunëtor të organizatave kriminale dhe karteleve të drogës”, Berisha tha se kryeministri është i pari në histori që shkon në Gjykatën Kushtetuese jo për të respektuar përgjegjësinë politike ndaj ministrave të tij, por “për t’u bërë avokat i tyre”.
“Është regjistruar në Guinness si kryeministri i parë që në vend të dorëheqjes ndaj ministres së tij, shkon në gjykata për ta mbrojtur,” u shpreh ai.
Berisha i bëri thirrje Parlamentit që të ndërhyjë për të garantuar mbajtjen e një seance publike, ku qytetarët, sipas tij, duhet të kenë mundësinë të shohin dhe dëgjojnë vetë argumentet e qeverisë.
Në fund, ai kërkoi nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që të ruajnë integritetin e tyre dhe të raportojnë çdo lloj presioni të mundshëm:
“U bëj thirrje gjykatësve të denoncojnë çdo ndërhyrje në punën e tyre dhe të hedhin poshtë mashtrimet e Ramës, që citon Venecian për gjëra që nuk janë thënë kurrë.”
Çështja Balluku është në qendër të vëmendjes publike pasi vendimi për pezullimin e saj nga detyra për shkak të hetimit në dosjen e tenderave të infrastrukturës përbën një rast të rrallë të ndërhyrjes së Gjykatës së Posaçme në nivelet më të larta të qeverisë.
