Veliaj kërkon heqjen nga kafazi në GJKKO: “Më pengohet mbrojtja, s’kam akses në dosjen 60 mijë faqe”

Data

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit sot (2 dhjetor) në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO), ku pritet të vendoset nëse çështja ndaj tij do të kalojë ose jo për gjykim. Para trupës gjykuese, Veliaj mbajti një qëndrim të gjatë, duke denoncuar jo vetëm mungesën totale të aksesit në dosjen hetimore, por edhe trajtimin që i bëhet në sallën e gjyqit përmes vendosjes në një kafaz prej xhami.

Veliaj theksoi se, ndonëse dosja përmban rreth 60 mijë faqe, ai nuk është njohur “as për një ditë, as për një faqe” me përmbajtjen e saj. Sipas tij, USB-ja që prokuroria i ka dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret prej tij në paraburgim, pasi rregullorja ndalon pajisjet elektronike, duke e bërë të pamundur përgatitjen e mbrojtjes.

“Ky nuk është kufizim i rastësishëm; është pamundësi objektive. Është absurde të pretendohet se dosja më është vënë në dispozicion kur unë nuk mund ta lexoj,” u shpreh Veliaj.

Ai paralajmëroi se mënyra sesi po zhvillohet procedimi rrezikon të shkelë të drejtat e tij kushtetuese dhe parimet e procesit të rregullt ligjor.

Në pjesën më të fortë të deklaratës, Veliaj kërkoi heqjen e masës së vendosjes në kafaz, duke e cilësuar atë një praktikë poshtëruese, paragjykuese dhe të papajtueshme me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Unë jam këtu i thirrur për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar,” tha ai, duke theksuar se pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese ishte paraqitur thjesht i ulur, pa asnjë masë sigurie.

Sipas tij, qëndrimi në kafaz krijon perceptimin e një personi “të rrezikshëm”, dëmton komunikimin me mbrojtjen dhe cenon prezumimin e pafajësisë.

“Nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo faktike për të më mbajtur në këtë kafaz. Kjo praktikë është shkelje e neneve 3 dhe 6 të KEDNJ,” deklaroi ai, duke cituar disa vendime të GJEDNJ që e ndalojnë këtë trajtim.

Duke e cilësuar dosjen voluminoze dhe mungesën e aksesit si pengesë të qëllimshme, Veliaj kërkoi që procesi të mos vazhdojë pa respektimin e të drejtës për mbrojtje efektive.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related