Artikulli
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në “Foltoren – Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”, lëshoi një sërë akuzash të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te buxheti i shëndetësisë, arsimit dhe mënyra e menaxhimit të fondeve publike.
Berisha deklaroi se, sipas tij, buxheti i shëndetësisë sot është rreth 500 milionë euro më i ulët se në vitin 2013, duke e lidhur këtë me gjendjen e rënduar të spitaleve dhe varfërimin e qytetarëve që përballen me kostot e larta të trajtimit mjekësor.
Ai akuzoi qeverinë se ka shkatërruar sistemin shëndetësor dhe arsimor, ndërsa përdor “vjedhjen si armë kryesore të kontrollit politik dhe ekonomik”. Në këtë kontekst, Berisha solli si shembull tenderin prej 60 milionë eurosh për portin e Vlorës, që sipas tij është fituar padrejtësisht nga “një magazinier i Salillarit”, person që, siç u shpreh ai, nuk ka asnjë përvojë reale profesionale për një projekt të tillë.
Berisha gjithashtu denoncoi mënyrën e ndarjes së tenderëve të rrugëve, duke folur për segmente të shkurtra të ndara në dhjetëra lote, që sipas tij shërbejnë vetëm për të shumëfishuar vjedhjen e fondeve publike.
Në mbyllje, ai theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga protesta dhe se, sipas tij, “sheshi” i protestës do të braktiset vetëm kur të “shpëtohet Shqipëria nga banda që ka kapur pushtetin”.
Fjalimi i plotë i Sali Berishës (pjesa e cituar)
Të dashur miq, këto ditë ka sjellë në parlament buxhetin e shëndetësisë.
E rrita, thotë.
E vërteta është se, krahasuar me vitin 2013, buxheti i shëndetësisë është ulur të paktën me 500 milionë euro.
A ka sot hall më të madh për shqiptarin se sa të sëmurët?
Erdhi koha të themi: Zoti e shpëtoftë nga spitalet, sepse shkon në spital, duhet të blejë çdo ilaç, duhet të paguajë çdo shërbim.
Ka shkatërruar një sistem të tërë dhe për vete vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh.
Po arsimi?
Po shkollimi?
Një shkatërrim me dokumente, me vlerësime zyrtare, si në asnjë vend tjetër.
Të dashur miq, Edi Rama ka dy armë për të shkatërruar këtë komb. Ai nuk përdor kampet e përqendrimit, nuk përdor burgjet e mëdha politike, ndonëse burgos politikisht.
Përdor vjedhjen.
Vjedh me bandën e tij 90 përqind të të gjitha fondeve për punët publike.
A mund të imagjinoni ju, një magazinier i Salillarit është fitues tenderi 60 milionë euro për portin e Vlorës?
A ka akt më flagrant vjedhjesh se sa ky?
A mund të imagjinoni, shqiptarë, që rruga të ndërtohet me çmim 10 herë më të lartë se në Europë?
Lexoni, në qoftë se gjeni kund në botë një rrugë gjithsej 19 kilometra, që ishin pa ndërtuar nga Unaza, dhe të ndahet ajo në 17 lote.
Po nuk mund të ndahet kurrë, kurrë. Maksimumi në dy lote, tre. Se si t’ju vjedhë 17 herë ju.
Se si të vjedhë 17 herë shqiptarët.
Se si të rrisë çmimin 5 herë në vjedhje.
A do vazhdojmë ne?
Jo, ne nuk e lëshojmë këtë shesh.
Ky është sheshi ynë.
Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët.
Vetëm kur të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo bandë.
