Shtyhet gjyqi ndaj Pëllumb Gjoka në GJKKO për mungesë avokatësh, gjykata cakton mbrojtës kryesisht dhe vendos datën e re më 19 maj

Data

Seanca gjyqësore ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtarit të policisë Ardrit Hasanbegaj është shtyrë në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkak të mungesës së përfaqësuesve ligjorë të njërit prej të pandehurve.

Gjyqtarja Flojera Davidhi konstatoi se në seancë mungonte si i pandehuri Gjoka, ashtu edhe avokatët e tij, Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari. Sipas njoftimit, njëri prej tyre kishte lajmëruar se ndodhej në një proces tjetër gjyqësor, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen.

Për këtë arsye, prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kërkuan ndërprerjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit, me argumentin se i pandehuri kishte mbetur pa mbrojtje ligjore.

Gjykata e pranoi kërkesën, duke shtyrë seancën për më 19 maj, ora 12:00, dhe duke caktuar një avokat kryesisht për të garantuar zhvillimin normal të procesit në vijim.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar dënimin e Gjokës me 14 vite burg, ndërsa për Hasanbegajn 9 vite burg, për akuza që përfshijnë sigurim kushtesh për vrasje, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Çështja është pjesë e një dosjeje më të gjerë, e nisur pas informacioneve të ardhura nga autoritetet franceze, që përfshin edhe akuza për vrasje, korrupsion dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Procesi vijon me gjykim të shkurtuar, çka nënkupton se në rast shpalljeje fajtor, të pandehurit përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related