Në Kategorinë Superiore kanë nisur lëvizjet ende pa ardhur merkato e dimrit. Kjo ndodh për shkak se disa skuadra nuk kanë ecurinë e duhur dhe janë larg pritshmërive dhe objektivave të tyre sezonale. Kështu, Bylis dje largoi dy lojtarë nga gjiri i vet, kurse Tirana në krizë loje e rezultati largoi trajnerin italian dhe solli një shqiptar, por tekniku shqiptar ende nuk ka dhënë konfirmim. Gjithsesi, referuar mediave, Ardian Nuhiu është zyrtarisht trajneri i ri i Tiranës. Klubi bardheblu ndërkohë e ka prezantuar Nuhiun ndryshe nga paraardhësit. Për trajneri e ri nuk ka një postim të dedikuar, por vetëm “insta-story” që zgjat 24 orë. Kështu pas kësaj kohe, foto largohet. Mbetet për t’u parë ndërkohë nëse do të ketë një shkrim nga stërvitja, për teknikun që është dëshirë e vjetër. 46-vjeçar qëndroi pa ekip vetëm një muaj, pasi në shtator u largua nga Gjilani.
Për të nis një sfidë delikate, për herë të parë në Superiore dhe te klubi rekordmen sa i përket numrit të trofeve. Ndërkohë që Tirana ka probleme me lojën e rezultatet dhe ka nisur ndryshimet në pankinë, një tjetër klub bën ndryshime në organikë gjatë orëve të fundit. Kështu, Bylisi ka njoftuar largimin e dy prej lojtarëve të huaj. Bëhet fjalë për Indio Oliveiran dhe Dejvid Karmonan. Ky vendim vjen pikërisht para duelit delikat me Tiranën, që luhet në fundjavë. Nëse braziliani Oliveira ka pasur disa minuta, spanjolli Karmona largohet pa debutuar. Njoftimi i Bylisit: FK BYLIS njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me marrëveshje me dy nga lojtarët e afruar gjatë merkatos së verës, spanjollin David Carmona si dhe brazilianin Indio Oliveira. Palët janë ndarë me shtrëngim duarsh, ndërsa spanjolli Carmona ka bërë edhe një postim ku falënderon klubin. Ne i urojmë suksese në karrierën e mëtejshme, Carmonas dhe brazilianit Indio!”
