215 kg marijuanë nga kufiri i gjelbër drejt Greqisë – Tre shqiptarë arrestohen në Janinë, shoferja përplasi dy herë makinën e policisë për t’u arratisur

Data

Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar nga policia greke në zonën e Janinës, duke parandaluar futjen e saj në tregun e brendshëm grek. Operacioni u zhvillua nga Departamenti i Narkotikëve i Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimit të Janinës.

Gjatë aksionit, u arrestuan tre shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një grua, ndaj të cilëve është ngritur procedim penal për trafik droge, dhunë ndaj punonjësve të policisë, drejtim të rrezikshëm të automjetit, dëmtim të përsëritur të pronës dhe shkelje të ligjit për të huajt.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin kombëtar Janinë–Kozan, ku policia konstatoi një automjet tip fuoristradë që lëvizte i shoqëruar nga një makinë tjetër përpara, e dyshuar si eskortë. Fuoristrada drejtohej nga një shtetase shqiptare.

Shoferja nuk iu bind urdhrave të ndalimit të policisë dhe, duke shfrytëzuar kushtet e vështira atmosferike dhe të rrugës, vijoi arratisjen përmes disa zonave të Prefekturës së Grevenës. Gjatë ndjekjes, ajo përplasi qëllimisht dy herë automjetet zyrtare të policisë, duke u shkaktuar dëme, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit.

Pas një ndjekjeje të gjatë, mjeti u ndalua në zonën e Vovousës, Janinë, nga forcat e Departamentit të Narkotikëve dhe njësia speciale O.P.K.E.

Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi 118 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 215 kilogramësh. Brenda makinës ndodhej gjithashtu edhe djali 2 vjeç e gjysmë i shoferes, fakt që ka rënduar më tej pozitën ligjore të saj.

Ndërkohë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes shërbimeve policore, autoritetet e trafikut në Grevenë kishin ndaluar më herët në zonën Filippei automjetin eskortë, ku udhëtonin dy shqiptarët e tjerë, të cilët u arrestuan.

Nga kontrolli në makinën e eskortës u sekuestruan 510 euro dhe dy telefona celularë, të cilat dyshohet se janë përdorur për koordinimin e trafikut të drogës.

Tre të arrestuarit, së bashku me dosjen hetimore të përgatitur nga Departamenti i Narkotikëve i Janinës, do të dërgohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Janinës për veprime të mëtejshme procedurale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related