Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në Presidencë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Mirë se vini në Tiranë, Presidente von der Leyen,” shkroi Begaj në një postim në Facebook, duke publikuar gjithashtu një video të mbërritjes së saj në godinën presidenciale.
Presidentja von der Leyen ka nisur sot, më 13 tetor, një vizitë në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të theksojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për procesin e anëtarësimit të vendit dhe të diskutojë Planin e Rritjes së BE-së për rajonin, me një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027.
Vizita e saj filloi në Tiranë, ku u takua me Presidentin Begaj, dhe më pas do të zhvillojë një takim me Kryeministrin Edi Rama. Diskutimet do të fokusohen tek rruga e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe forcimin e lidhjeve rajonale.
