Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet e fundit nga punimet e rikonstruksionit të Qendrës së Artit “Vaçe Zela” në Lushnjë, një projekt i cili synon të rigjallërojë jetën kulturore të qytetit dhe të jetë një pikë referimi për artistët lokalë. Vaçe Zela pritet të shndërrohet në një ambient pune dhe shprehjeje artistike, duke u ofruar hapësira për ekspozita, aktivitete muzikore, teatrore dhe projekte komunitare.
Në postimin në Facebook, Rama thekson se kjo ndërhyrje është pjesë e politikave për rifreskimin urban dhe përkushtimit ndaj kulturës, duke e quajtur objektin një “hapësirë të re kulturore” për qytetin. Pamjet tregojnë përmirësim në strukturën e ndërtesës, fasadat e zbardhura, dhe rifillim të punimeve që kishin mbetur pezull.
Ai i ka bërë thirrje qytetarëve të Lushnjës që të jenë optimistë dhe të ndjehen pjesë e ndryshimeve, pasi investimet në art dhe kulturë, sipas Ramës, janë të domosdoshme për forcimin e identitetit kulturor dhe për të lidhur komunitetin.
