Tri zjarre të mëdha brenda dy muajve (qershor-korrik), në vendgrumbullimin e mbetjeve në Lagjen 24 Maji në Vlorë, ishin lajmërimi i fundit se nëse nuk ndërhyhej në kohë, zona përreth, por edhe i gjithë qyteti do të vijonte të rrezikohej nga ndotja në nivel mjaft të lartë. Pavarësisht trajtimit të mbetjeve urbane në Landfillin e Sherishtës, që nga 26 prilli i këtij viti, Vlora ende e ka të pazgjidhur vendgrumbullimin e mëparshëm të mbetjeve në lagjen 24 Maji.
Premtimi
Për kryebashkiakun në detyrë (që dha dorëheqjen dy ditë më parë) Ermal Dredha, “lajmi i mirë” ishte se shumë shpejt kjo çështje merrte fund një herë e mirë, duke kapsuluar mbetjet ekzistuese dhe kthyer zonën në eko-park.
“Fusha e depozitimit të mbetjeve, e vjetra, shumë shpejt do të fillojë edhe pjesën e kapsulimit, siç është parashikuar në kontratën me KfW, që do të thotë se ata kanë filluar procedurën dhe pasi të përfundojë procedura shpresoj se për një 3-4 muajsh fillon zbatimi i projektit për tu kapsuluar dhe kthyer në eko-park”, tha Dredha më 13 qershor të këtij viti.
