Në luginën e Thethit në veriun e Shqipërisë, e rrethuar nga maja të larta, turistët fotografojnë një kishë fshati të ndërtuar në fund të shekullit XIX, një strukturë e bukur prej guri që shpesh shfaqet në broshurat që tërheqin turistët në rajon.
Vetëm pak metra më tej, grumbuj druri dhe bazamente prej betoni janë gjithçka që ka mbetur nga dhjetëra kabina druri të ndërtuara për të akomoduar këta turistë, të cilat u shembën nga shteti në korrik.
“Ata na shkatërruan jetën, jo vetëm ndërtesat,” tha Kol Gjergj Legata, 63 vjeç, i cili u largua nga Shqipëria komuniste në vitin 1990 për në Jugosllavi dhe më pas në Greqi, duke u kthyer vetëm pesë vite më parë dhe duke investuar, sipas tij, një shumë prej 30 mijë eurosh në një kabinë që kishte filluar ta ndërtonte në janar.
Ashtu si rreth 80 kabinat dhe ndërtesat e tjera që u shembën, shtëpiza malore për turistë e Legatës ishte ndërtuar pa leje – një dukuri e zakonshme në Shqipëri, por që këtë herë kishte tërhequr vëmendjen e aktivistëve mjedisorë të alarmuar nga dëmtimi i bukurisë natyrore të Thethit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Thethin vitin e kaluar dhe i inkurajoi shqiptarët e diasporës në rritje të ktheheshin në atdhe dhe të investonin këtu. Legata dhe të tjerë thonë se e morën fjalën e tij për të mirëqenë, duke besuar se mungesa e lejeve të ndërtimit nuk do të ishte pengesë.
Të goditur nga kritikat në rrjetet sociale, reagimi i qeverisë ishte i ashpër: buldozerët u dërguan në kulmin e sezonit turistik. Më 11 korrik, ata u përballën me bomba molotov; alpinistët e habitur kërkuan strehë ndërsa policia e armatosur përpiqej të gjurmonte autorët.
Legata tani përballet me një gjobë shumë më të madhe se kostoja e kabinës së tij, por kritikët thonë se shteti mban gjithashtu përgjegjësi; autoritetet vendore janë implikuar në lejimin e ndërtimit të paligjshëm që në fillim.
“Veprimet në Theth tregojnë se fuqia e shtetit nuk është e mjaftueshme për të parandaluar, por shfaqet në formën më brutale në zhbërjen e veprimeve të paligjshme”, tha Melitjan Nezaj nga organizata PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri).
“Zhvillimi i pakontrolluar i turizmit, pa asnjë strategji, u përkeqësua nga neglizhenca dhe madje inkurajimi i zhvillimit të paqëndrueshëm nga vetë shteti”, tha ai për BIRN. “Veprimet në Theth nuk e zgjidhën problemin, por e transformuan atë nga një çështje mjedisore në një çështje sociale.”
