Ilir Meta ka ofruar një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh në përpjekje për të lënë qelinë, por kërkesa e tij është rrëzuar nga GJKKO.
Ish-Presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, duke propozuar lirimin kundrejt garancisë financiare. Megjithatë, gjykata vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë, duke lënë në fuqi paraburgimin.
Kjo kërkesë erdhi vetëm një ditë pasi gjykata vendosi kalimin për gjykim të dosjes penale ndaj Metës dhe disa personave të tjerë, mes tyre Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Procesi ndaj Metës lidhet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa çështja tashmë ka hyrë në fazën e gjykimit në themel. Vendimi i fundit i gjykatës tregon se, për momentin, ish-Presidenti do të vijojë të qëndrojë në burg deri në zhvillimet e mëtejshme të procesit gjyqësor.
