Dom Vlashi dhe diktatori modern: një përplasje në zemër të Alpeve

Data

Në Theth, ku natyra ruan qetësinë e saj, pushteti zgjodhi të futet me fadromë. Por përballë tij u ngrit një njeri i thjeshtë, i Zotit dhe i popullit.

Në gurët e Thethit, ndodhi një përplasje që s’kishte të bënte vetëm me ndërtimet pa leje. Kishte të bënte me shpirtra, me njerëz, me mënyrën si e kuptojmë drejtësinë, autoritetin dhe Zotin. Nga njëra anë – Dom Vlash Palaj. Nga ana tjetër – Edi Rama. Njëri ndez qirinj. Tjetri ndiz fadroma.

Dom Vlashi nuk ka pushtet, por ka ndikim. Nuk ka asnjë zyrë, por ka një vend në zemrat e njerëzve. Ai nuk vjen me kamera, as me eskortë. Ai qëndron me njerëzit në ditën më të vështirë. Në Theth ai nuk bërtiti. Ai qau. Dhe në një vend ku lotët janë gjuhë e përbashkët, ai tha më shumë se çdo fjalim politik.

Ai nuk shemb, por ngre. Nuk urdhëron, por lutet. Dhe për këtë arsye, është udhëheqës i vërtetë.

Edi Rama, përballë tij, erdhi si “diktatori modern” – një lider që nuk ka nevojë të dëgjojë, sepse vendimet i ka marrë më parë. Shemb, dhe e quan këtë “progres”. Përçan, dhe e quan këtë “rregull”. Në vend që të shihte komunitetin, pa vetëm shkeljen. Në vend që të ndalonte për të dëgjuar, shtyu përpara makinerinë e verbër të pushtetit.

Shembjet në Theth nuk ishin vetëm fizike. Ato ishin shembje besimi. Njerëzit nuk panë një shtet që i mbron, por një qeveri që i turpëron. Nuk panë forcë të ligjit, por arrogancë të pushtetit.

Kjo është Shqipëria që ndahet çdo ditë mes dy rrugëve: njëra rrugë është ajo e njerëzve që shërbejnë – me përulësi, me dashuri, me fjalë që ngushëllojnë. Tjetra rrugë është ajo e atyre që sundojnë – me urdhra, me beton, me propagandë.

Dom Vlashi nuk kandidon për zgjedhje, por vota zemrash ka më shumë se çdo deputet.

Edi Rama fiton mandate, por humb gjithnjë e më shumë respektin që nuk blihet me propagandë.

Në fund të ditës, historia nuk mban mend ata që shembën mure, por ata që qëndruan kur shtëpitë e njerëzve binin. Zoti nuk fshihet pas VKM-ve. Dhe drejtësia e Tij nuk i njeh mandatet njerëzore.

Nga. Ndokë   Kola

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related