Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, zhvilloi të mërkurën seancën për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit që konfirmoi në detyrë prokuroren Elona Alvora.
Çështja lidhet me ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të 7 qershorit 2022, i cili e kishte konfirmuar Alvorën në detyrë. Në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i SPAK, Adnan Xholi, pranoi se ndaj subjektit të rivlerësimit ishin evidentuar mangësi në vlerësimin e aftësive profesionale.
Megjithatë, ai theksoi se këto mangësi nuk kanë cenuar hetimet dhe mund të korrigjohen përmes një programi trajnimi në Shkollën e Magjistraturës. Për këtë arsye, ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së, pezullimin nga detyra të Alvorës dhe detyrimin e saj për të ndjekur trajnimin.
Nga ana e saj, prokurorja Elona Alvora paraqiti shpjegime të përmbledhura për çështjet penale të përmendura në ankim, duke theksuar se kishte ndërmarrë veprime hetimore të logjikshme dhe në përputhje me ligjin procedural.
