Udhëtimet me charter, që kushtojnë dhjetra mijëra euro, të kryeministrit të vendit me të ardhurat më të pakta për frymë në Europë, janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në vendin tonë. Shkak u bë një raportim i pak ditëve më parë, ku mediat publikuan videon teksa Edi Rama zbriste nga një avion privat në aeroportin Schiphol-it të Hagës, për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.
Bëhet fjalë për një avion charter të tipit “Gulfstream Aerospace G-IVSP” me regjistrimin “TC-EMR”, që sipas raportimeve mediatike kushton minimalisht 35 mijë euro vetëm vajtje dhe me prenotim rreth një muaj para. Por, mbetej mister se kush e kishte paguar këtë udhëtim kaq të kushtueshlm të kreut të qeverisë.
E pyetur nga BIRN se sa kishte shpenzuar qeveria për udhëtimin e Ramës drejt Hagës, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se edhe ky udhëtim ishte mbuluar nga marrëveshja kuadër që Kryeministria ka me kompaninë private, “Air Albania”.
“Kryeministria nuk ka paguar ndonjëherë dhe nuk paguan për chartera, por ka një marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania, në një shumë vjetore mesatare të shpenzimeve vjetore të kryeministrit në vitet paraardhëse,” tha MIA në një përgjigje me shkrim.
“Arsyeja e marrjes së avionëve të ndryshëm nga kompania Air Albania lidhet me periudhat kur avioni qeveritar ALBANIA është në mirëmbajtje teknike. Dhe në këto raste është kompania Air Albania që merr masa, duke vendosur në dispozicion avionë të tjerë,” – shtohet në përgjigje.
