Vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Shtetet e Bashkuara nuk ishte thjesht një udhëtim privat me familjen për të marrë pjesë në dasmën e Alex Soros. Ajo ishte një pasqyrë e qartë e izolimit politik të Ramës në skenën amerikane, e nxitur nga skandali “McGonigal” dhe përplasjet në rritje me qarqet konservatore që janë rikthyer në pushtet me Donald Trump. Ajo që duhej të ishte një dalje me profil të lartë ndërkombëtar, u kthye në një udhëtim familjar pa ftesa zyrtare, pa takime të nivelit të lartë dhe pa interes diplomatik. E vetmja “pritje” ku u shfaq kryeministri ishte ajo e Sorosëve, një sinjal politik i fortë, me pasoja konkrete në marrëdhëniet e tij me krahun republikan amerikan.
Që nga momenti kur u publikua dosja e Charles McGonigal, ish-zyrtari i FBI që pranoi se kishte marrë para dhe kishte ndërhyrë në hetime për llogari të një qeverie të huaj, figura e Edi Ramës në SHBA është e kontaminuar. Me ardhjen e Trump në pushtet, kjo dosje është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, për shkak të disa provave të reja që janë zbuluar së fundmi dhe për këto arsye, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka rihapur çështjen ndaj McGonigal. Edhe pse Rama nuk është zyrtarisht i akuzuar, në qarqet diplomatike dhe inteligjente të Uashingtonit ai shihet si një lider që ka manipuluar partneritetin me SHBA-të për interesa të brendshme politike. Kjo e ka bërë të papëlqyeshëm në administratën e Trump, e cila duket se po përgatitet për një qëndrim të rreptë ndaj atyre që kanë bashkëpunuar me rrjete liberale, sidomos me Sorosët.
