Ka nisur seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit që mbahet këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kujtojmë se seanca e kaluar, e mbajtur në 21 shkurt, u shty për shkak të mungesës së gjyqtares Irena Gjoka.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Në seancën e sotme pritet të dëshmojë edhe Dritan Minxolli, ish-drejtori i punishtes së demontimit në Gërdec.
Minxolli ka mbërritur në ambientet e GJKKO. Kujtojmë se Minxolli është thirrur dëshmitar, por duke qenë bashke i pandehur ka të drejtë të mos dëshmojë.
Nga tragjedia e Gërdecit, që ndodhi në 15 mars të 2008-ës, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Për herë të dytë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën akuzë për shpërdorim detyre bëri apel që të mos heshtet dhe që dëshmitarët të vijnë në gjykatë të flasin.
