Media italiane “Avvenire” i ka kushtuar një artikull analizues marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se, ndryshe nga pritshmëritë, nuk ka prodhuar efektin pengues që synohej në ndalimin e zbarkimeve në brigjet italiane.
Sipas raportimit, ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi ka bërë të ditur riatdhesimin e 30 emigrantëve nga qendra e Gjadrit në Shqipëri dhe transferimin e 30 të tjerëve nga Italia në këtë qendër. Megjithatë, “Avvenire” vëren se nga rreth 1 mijë emigrantë që supozohej të përdoreshin në këtë skemë, vetëm disa dhjetëra janë përfshirë, dhe shumica prej tyre janë rikthyer në Itali pas ndërhyrjeve nga gjykatat italiane
Në artikull theksohet se gjatë vitit 2025 ka pasur një rritje me afro 9% të emigrantëve që kanë zbarkuar në Itali krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 – 23,662 persona kundrejt 21,769. Zbarkimet janë përqendruar kryesisht në Lampedusa, por edhe në Pozzallo, Siracusa, Roccella Ionica, Crotone dhe në jug të Sardenjës.
