Kandidatja më e votuar e PD në zgjedhjet e 11 majit, Jorida Tabaku, ka komentuar zërat që e lidhin me drejtimin e Partisë Demokratike.
Tabaku tha se nuk ka aspiruar asnjëherë dhe as nuk e ka menduar të jetë në krye të partisë më të madhe opozitare. Por, ajo theksoi se do t’i përkushtohet partisë, pavarësisht rolit që mban.
“Unë nuk e kam menduar as tani, as në të shkuarën, për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Siç e thashë, unë garova për një vend në Parlamentin shqiptar. Do të jem aty gjithmonë për partinë dhe nuk ka rëndësi se çfarë roli kemi secili”, u shpreh ajo.
Më tej Tabaku u shpreh se edhe Alimehmeti, mjeku i njohur, meriton të jetë në Parlamentin e ardhshëm.
Ajo tha se PD do të luftojë për mandatin e tij duke kërkuar numërimin si të vlefshme të votave të vlerësuara si të pavlefshme. Në Qarkun e Tiranës janë shpallur rreth 17 mijë vota të pavlefshme.
