Partia Socialiste ka humbur terren në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e kaluara, pasi shënoi kulmin në vitin 2017 me 10 mandate. Megjithatë, edhe në atë kohë, mandati i dhjetë erdhi si pasojë e votave të ndara mes partive të opozitës, gjë që e bën këtë objektiv të shpallur prej tyre, të vështirë. Gjërat do të varen gjithsesi nga ecuria e partive të vogla si dhe nga fakti se në cilin krah këto parti do të gërryejnë më shumë.
Qarku i Fierit numëron mbi 400 mijë votues dhe zgjedh 16 deputetë, pra është qarku i dytë më i madh në vend pas Tiranës. Dhe për shkak të përmasave, në zgjedhjet e 11 majit në këtë qark duket se janë aktive dhe shpresojnë për të marrë mandate edhe partitë e vogla, të tilla si Partia Socialdemokrate, Nisma Shqipëria Bëhet apo Lëvizja Bashkë.
Qarku i Fierit ka votuar tradicionalisht majtas ku Partia Socialiste ka qenë gjithmonë forcë e parë. Por fakti që ky është një nga qarqet me numër mandatesh çift, e bën të vështirë maksimizimin në mandate të diferencave të ngushta.
Rezultati më i mirë për socialistët daton në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, kur fitoi 104 mijë vota ose 57% të totalit. Kjo u shpërblye me 10 mandate, por mandati i dhjetë ishte rrjedhojë e rreth 6 mijë votave që një kandidat humbës i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, mori nga thesi tradicional i demokratëve. Kandidati në fjalë garon sot për socialistët.
Rezultati më i mirë për demokratët ishte ai i vitit 2021, kur fitoi gati 65 mijë vota ose 37%. Kjo e ndau numrin e përgjithshëm të mandateve në 9 për PS, 6 për PD dhe 1 për LSI.

