Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar procedim penal për shpërdorim të autoritetit policor, pas denoncimit të një dite më parë nga deputeti i PD Flamur Noka, për përfshirje të disa policëve në Elbasan dhe të burgut të Peqinit ishin përfshirë në fushatë për kandidaten e PS në këtë qark, Sara Mile.
“Burgu i Peqinit si ndërmarrje me pronar Suel Çelën. Suel Çela e ka kthyer burgun e Peqinit në shtab zgjedhor të kandidates së PS, Sara Mile”, shkruante Noka në Facebook, duke listuar edhe emrat e efektivëve që denonconte.

Prokuroria e Elbasanit njoftoi sot se ka nisur procedimin, duke ngritur një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga prokurori i çështjes dhe tre oficerë të policisë gjyqësore pranë prokurorisë, nga të cilët po kryhen verifikimet dhe veprimet e para hetimore me karakter të ngutshëm, si pyetje të personave me dijeni për veprën penale, këqyrje pamjesh filmike, sekuestrime të provave materiale (aparate celulare, DVR) etj.
