Tepelenë – Një denoncim publik ngre shqetësime serioze për keqpërdorim të pronës shtetërore në bashkinë e Tepelenës, ku emrat e përmendur janë kandidati për bashkinë Termet Peçi dhe z. Lorenc Bami. Sipas informacioneve të bëra publike nga qytetarë të zonës, një sipërfaqe toke shtetërore është dhënë në përdorim për ndërtimin e një vendi turistik, në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në këtë zonë janë ndërtuar disa shtëpi druri, të cilat ndodhen poshtë një shtylle tensioni të lartë – një vendndodhje që përbën rrezik të madh për jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe bie ndesh me normat ligjore për ndërtimin pranë linjave të tensionit.
Denoncuesit pretendojnë se kjo tokë është regjistruar në emrin e shtetasit Kastiriot Qendraj, një mik i ngushtë i z. Termet Peçi dhe njëkohësisht sponsor i fushatës së tij elektorale. Qendraj aktualisht jeton në Greqi, ndërsa sipërfaqja ndodhet në hyrje të zonës së Dragotit, në të majtë të rrugës sapo kalon ura kur udhëtohet drejt Përmetit.
Burime nga zona thonë se institucionet përkatëse kanë tentuar të ndërhyjnë për shembjen e shtëpive të drurit, por kanë hasur në rezistencë të hapur nga z. Termet Peçi, i cili është shprehur në mbështetje të këtij ndërtimi të paligjshëm.
Kjo situatë kërkon urgjentisht vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese dhe të medias për të hetuar rrethanat e kësaj çështjeje dhe për të garantuar që prona publike të mos keqpërdoret për interesa private apo elektorale.
