Asnjë flamur apo gjurmë fushate nuk duket në rrugët e fshatit, madje as posterat e Tom Doshit, kreut kontrovers të Partisë Socialdemokrate, që edhe për shkak të origjinës, e konsideron zonën bastion të tij.
“S’ka nevojë ai për zyrë elektorale, këtu të gjithë e dun dhe e votojnë Tomën,” thotë Arnel Brahimi, një berber 25 vjeçar dhe nipi i kandidatit për deputet të PSD, Besnik Brahimi.
Biznesmeni Tom Doshi ka mbijetuar si faktor elektoral në qarkun e Shkodrës, pavarësisht përjashtimit nga Partia Socialiste në vitin 2015 dhe shpalljes si person “non grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018.
Ai arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 në qarkun e Shkodrës nën siglën e PSD dhe dy vjet më vonë mori drejtimin e kësaj partie, duke ruajtur një aleancë të pashpallur me Partinë Socialiste të Edi Ramës në Parlament.
