Ja si është i kapur Sali Berisha nga oligarkët që nuk u përmend kurrë emrat, nga Samir Mane, Bashkim Ulaj, te…

Data

Në dosjen voluminoze prej 500 faqesh të përgatitur nga SPAK mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, përveç katër të pandehurve kryesorë, në krye me Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, përmenden edhe emra të tjerë të njohur, të cilat vërtetojnë me fakte arsyen se pse kryetari i PD akuzon shpesh herë kryeministrin Edi Rama se iu shërben oligarkëve, por asnjëherë nuk përmend emra oligarkësh. Berisha nuk godet kurrë oligarkun Samir Mane, Bashkim Ulajn, apo Artan Dulakun dhe këtë e vërtetojnë gjetjet e SPAK në dosjen e kompleksit “Partizani” ku është përfshirë edhe hetimi pasuror i familjes “Berisha”.

Berisha nuk e përmend kurrë Manen

Qeveria e Sali Berishës miratoi me dhjetëra vendime, në fshehtësi dhe publikisht, kryekëput në shërbim të Samir Manes. Seria e ligjeve klienteliste startoi me ligjin për elektroshtëpiaket për të favorizuar biznesin e tij, një ligj që eliminonte pajisjet e përdoruara me gjoba dhe taksa të larta, për t’i rritur xhiron biznesit të Manes me pajisjet e reja. Vendimi më skandaloz ishte edhe me koncesionin e ngjyrosjes së karburanteve, ku Samir Mane fitonte 200 milionë euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Një tjetër vendim për interesa të Samir Manes ishte edhe zgjerimi i rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku te qendra tregtare e Samir Manes, Teg. Berisha ndryshoi projektin e Unazës së Madhe dhe akordoi një fond prej 12 miliardë lekë për të zgjedhur rrugën nga Filologjiku te qendra tregtare. Koncesioni i pullave fiskale të produkteve të tregut ishte tjetër koncesion që kishte në kontroll biznesmeni i familjes dhe i qeverisë Berisha, miku dhe ortaku i ministrit Ridvan Bode. Nuk kishte të drejtë asnjë firmë tjetër të operonte me pulla fiskale në tregun shqiptar, përveç Samir Manes, i cili prej këtij koncesion biznesi përfitoi afro 15 milion euro në vit. Vendimi u mor nga Berisha dhe Bode vetëm për mikun e familjes Samir Mane.

Çfarë tregoi dosja e SPAK?

Dosja e SPAK evidentoi se në deklaratën për vitin 2009 Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës deklaron Apartament 196 m2 + garazh blerë nga kompania Mane TCI, e cila është në pronësi të oligarkut Samir Mane. Por nga aktet konstatohet se kontrata e sipërmarrjes është lidhur më datë 30.03.2010. Pra një vit më vonë. Një tjetër detaj që evidenton SPAK është se pasuritë që ka marrë Malltezi nga Samir Mane, Argita nuk i ka deklaruar në ILDKPI. Prokurorët evidentojnë se mes Samir Manes dhe familjes “Berisha” ka patur dhe pagesa jashtë sistemit bankar.

Berisha nuk e përmend kurrë Bashkim Ulajn

Një tjetër emër i përmendur në dosjen e SPAK është ai i Bashkim Ulajt, pronar i kompanisë ndërtuese A.B.A.U dhe familjar me lidhje të afërta me familjen Berisha. Ulaj dhe kompania e tij kanë ndërtuar disa apartamente dhe pasuri që rezultojnë në pronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit. Një apartament në rrugën Mustafa Matohiti, vlerë 205 mijë euro, rezulton të mos jetë deklaruar saktësisht nga Malltezët, sipas SPAK. Gjithashtu, është përmendur një tarracë prej 35 m² dhe një garazh i blerë në vitin 2002 për 10 mijë euro, të cilat nuk janë raportuar në deklaratat financiare të Argita Malltezit.

Kur pyetej disa muaj më parë se pse nuk denonconte me emra oligarkët, Sali Berisha përgjigjej se me emra i denonconte kur ata cenojnë rëndë interesin publik. Sipas kësaj deklarate të Berishës interesin kombëtar s’e cenojnë as koncesionin 1.3 miliardë eurosh të Thumanë-Kashar, e cila është miniera e arit e Bashkim Ulajt. Për Ulajn Berisha firmosi me nxitim para largimit në 2013-ën edhe lejet për hidrocentralet në Valbonë, për të cilat u provua më pas se kanë falsifikuar të paktën konsultimet publike dhe u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related