Në një moment kyç për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, Kontrolli i Lartë i Shtetit po merr mbështetje të fuqishme nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga Italia. Guardia Di Finanza, struktura elitare italiane për hetimin financiar, ka hyrë zyrtarisht në lojë duke ofruar ndihmë për KLSH-në në përballjen me abuzimet me fondet publike dhe tenderat. Ky zhvillim vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë ministra, kryebashkiakë dhe drejtues të lartë janë nën rrezikun e hetimeve për keqpërdorim të parave të taksapaguesve.
Ambasadori italian në Tiranë, Marco Alberti dhe drejtuesi i Guardia Di Finanza, Giampiero Carrieri, zhvilluan një takim të rëndësishëm me kreun e KLSH-së, Arben Shehu, duke shprehur mbështetje të plotë për misionin e institucionit. Alberti e cilësoi rolin e KLSH-së si themelor për integrimin europian të Shqipërisë, ndërsa njoftoi edhe nisjen e një bashkëpunimi konkret në muajt në vijim. Mirëpo ky partneritet synon rritjen e transparencës dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivelet më të larta të administratës. Mesazhi është i qartë, se, lufta kundër korrupsionit nuk është më vetëm një çështje vendase, por një prioritet edhe për aleatët strategjikë të Shqipërisë.
