Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli ku në fokus ka qenë strategjia e SPAK për krimet zgjedhore. Njëjtë siç ishte premtuar në strategjinë e Prokurorisë së Posaçme për krimet zgjedhore, 16 zyra të SPAK janë hapur nëpër qarqet e vendit.
Në takimin e mbajtur në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të DVP Durrës, prokurorë dhe oficerë të caktuar në Seksionin e Posaçëm të Përkohshëm Kundër Krimit Zgjedhor të Prokurorisë Durrës.
Dumani dha direktivat e tij gjatë takimit mbi mënyrën e veprimit në rast të shkeljeve gjatë fushatës zgjedhore. Në thelb u dakordësua rëndësia e reagimit të shpejtë, koordinimi efektiv dhe ndarja e informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo veprimi që cenon integritetin e votës së lirë të qytetarëve. Prokuroria e Durrës nga ana tjetër riafirmon angazhimin e saj për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm ligjor për të mbrojtur të drejtën e votës dhe integritetin e procesit zgjedhor.
