Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputetja Oriola Pampuri, zhvilluan takime me biznese në Njësinë 9, në Tiranë, për t’u njohur me problemet që përballen.
Shitësja e një dyqani lagjeje, i tha Bashës se fuqia blerëse ka rënë shumë për shkak të shtrenjimit të çmimeve. Sipas saj, edhe pse jemi në 2025-ën, qytetarët vazhdojnë të blejnë me lista si para 20 vitesh.
“Puna ka rënë një çik, dobët është me thënë të drejtën, ka rënë puna goxha. Ushqimet, frutat, perimet, bulmeti që është shumë i shtrenjtë. Mundohen njerëzit ca me lekë, ca pa lekë, kur marrin rrogat, pensionet i sjellin. Me lista, ja të gjitha me lista, njësoj si para 20 vitesh. Referoju kësaj që jam në mes të Tiranës, imagjino pastaj si është në periferi” – u shpreh shitësja.
Pasi dëgjoi shqetësimet, Basha tha se ka një përkeqësim të thellë pasi dhe shumë njerëz janë larguar nga puna për shkak se sipërmarrjet janë në vështirësi.
“Ka një përkeqësim të thellë, edhe shumë njerëz kanë dalë nga puna. Isha dje në një fasoneri, janë në një presion të jashtëzakonshëm. Vetëm nga fasoneritë mund të jenë larguar 20-30 mijë gra kryesisht këto 10 muajt e fundit. E sjellshin një 400 – 500 mijë lekësh në shtëpi, tani nuk sjellin më. E njëjta gjë dhe me bujqësinë, ngaqë s’ia dalin dot e lënë punën” – tha ai.
