Të gjendur në një krizë të shumëfishte nga rënia e euros dhe e kërkesës nga jashtë fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë shkurtuar gati një të pestën e vendeve të punës vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në statistikat afatshkurtra në tremujorin e fundit të vitit 2024 indeksi i punësimit në fabrikat e tekstilit shënoi rënie me mbi 19 pikë % krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2023, ndërsa në fabrikat e prodhimit të këpucëve indeksi i punësimit në të njëjtën periudhë krahasimi ra me mbi 7 pikë %.
Të dhënat ekonomike mbi ndërmarrjet që raporton INSTAT tregojnë se në vitin 2023 numri mesatar i punonjësve me pagë ne fabrikat e veshjeve ishte 28,250, ndërsa në të këpucëve 20,080. Burimet nga tregu pohojnë se tkurrja e punonjësve ka vijuar edhe në janar -shkurt 2025, pasi shumë fabrika mbyllen kontratat vjetore dhe gjithashtu i dhanë fund aktivitetit. Reduktimi i punonjësve në fabrikat e veshjeve hyri në vitin e tretë më 2025. Rënia e vlerës së euros nga 122.4 lekë që ishte me 2021 në më pak se 100 lekë vitin e kaluar shkakori humbje të mëdha.
Gjithashtu sektori u përball me rënie të fortë të kërkesës në tregjet eksportit si rrjedhojë e transferimit të prodhimit jashtë Europës dhe uljes së kërkesës konsumatorëve për veshje dhe këpucë në vendet e zhvilluara. Të dhënat më të fundit tregojnë se në muajin shkurt të këtij viti ka një përmirësim të porosive për këpucë, por për veshjet situata është pak më e brishtë. Rikthimi i aktivitetit për fabrikat e këpucëve po bëhet i vështirë për shkak se tashmë punonjësit janë integruar në sektorë të tjerë dhe e kanë të vështirë të rikthehen në fabrika.
