Mes shqiptarëve që kishin mbushur plot sallën “Christmas Theater” në stadiumin “Galatsi” në Athinë, dhe flamujve kuq e zi që valëviteshin kryeministri Edi Rama nisi dje turin e takimeve me diasporën që do të vijojë më pas në shtete të tjera ku ka shumë shqiptar. Tubimi nisi me himnin shqiptar dhe atë të Bashkimit Europian ndërsa në fjalimin që zgjati gati 1 orë kryeministri shqiptar bëri thirrje për një histori të re të marrëdhënieve Shqipëri – Greqi ku çështjet e mbetura pezull mes dy shteteve fqinje të zgjidhen si europianë dhe jo si ballkanas syleshë. Kërkesa për shfuqizimin e “ligjit të luftës” me Greqinë, te përulja para emigrantëve shqiptarë, pranimi i gabimeve në 10 vite qeverisje dhe përmendja e genocidit ndaj çamëve, ishin disa nga mesazhet e Ramës gjatë takimit me diasporën në Athinë, të cilat gazeta po i pasqyron më poshtë.
Rama vlerëson emigrantët
Fillimisht, kryeministri Edi Rama është përulur përpara emigrantëve shqiptarë në Athinë në shenjë respekti ndaj tyre, por njëkohësisht ka kërkuar edhe falje për çdo gabim që mund të ketë bërë gjatë detyrës së tij në këto 10 vite qeverisje. Por ai theksoi se në asnjë rast nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar që i ka besuar detyrën e Kryeministrit. Madje ai theksoi se asnjë forcë madhore nuk mund ta joshë apo detyrojë atë që të cenojë interesat kombëtare të Shqipërisë. “Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shikoni çfarë ka brenda, por unë nuk iki dot sot pa ju thënë edhe 2 fjalë. Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto 10 vjet, ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë se sa të udhëheqë vendin e tij, prandaj nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që mos o Zot më josh a më detyron dot mua të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës tuaj për të cënuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por e di shumë mirë që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë. Falë jush kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do kem një më të bukur se kjo”, deklaroi ai.
Shqiptarët nuk janë më shërbëtorët e dikurshëm
Më tej kryeministri Rama në hapje të takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë, duke thënë se ka ardhur të takohet me zotët e barabartë të shtëpisë në Greqi dhe jo me shërbëtorët e dikurshëm të grekëve. “Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në Evropën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia”, u shpreh ai.
Çështja çame
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Athinë, ka përmendur indirekt edhe dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë, duke bërë një paralelizëm kur kujtoi vitet kur shqiptarët shkuan në Greqi dhe u përballëm me poshtërimin. “U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy tre punë në ditën që nuk mbaronte, duke zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy valketeve të pangrëna. Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju depërtuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë”, theksoi ai.
Shfuqizimi i ligjit të luftës nga Greqia
Gjithashtu, kryeministri Edi Rama i kërkoi Greqisë edhe shfuqizimin e ligjit të luftës. Rama vlerësoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakisin dhe kritikoi te majtën greke, sivëllezërit e PS ne Shqiperi, parti e cila është ne opozite. “Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatit e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhoja pasojat e këtij ligji mbeten në fuqi sot e gjithë ditën. Megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që dy vende janë bashkë në NATO, kanë nënshkruar traktatin e miqësisë të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?! Në këto vite unë dhe qeveria ime jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona. Ashtu siç jemi përpjekur që ti adresojmë sa më drejtë me dialog, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes vendeve tona. Unë kam bindjen se nëse ka vullnet të mirë të gjitha mosmarrëveshjet zgjidhen pa pritur që të kalojnë edhe 84 vite të tjera. Tek kryeministri aktual unë kam gjetur bashkëbiseduesen më të hapur në këto 10 vite. Por qasjet dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke e kam pasur të vështirë ti kuptoj. Nuk është puna ime të jap mend, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër që në Shqipëri kemi një opozitë që bën të njëjtën gjë. Sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë u fryn burive të nacionalizmit elektoral. Por thjesht do t’u thosha miqësisht se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërisë me siguri do ti ndihmonte edhe një komunikim i drejtpërdrejtë me ne në Tiranë”, nënvizoi dje kryeministri Edi Rama.
