“Me udhëzimet e Ramiz Alisë, PS futi Shqipërinë në vëllavrasje me Ligjin e mbrapshtë 7501 – por ministri Lamallari e shtrembëroi të vërtetën”

Data

Nga   Ndokë   Kola
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, doli publikisht me një deklaratë të fortë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, duke iu referuar si “trashëgimi e një epoke të mbrapshtë” dhe duke sulmuar opozitën për, siç tha ai, “lot krokodili dhe gjuhë urrejtjeje”. Por në përpjekjen për të politizuar ngjarjen, ministri shtrembëroi të vërtetën historike për ligjin që vetë e përmendi – famëkeqin Ligj nr. 7501, “Për tokën”, miratuar më 19 korrik 1991, gjatë qeverisjes së Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, që më vonë u transformua në Partinë Socialiste (PS).

Ligji që ndau shqiptarët në pronë e në shpirt

Ligji 7501, i cili ndau tokën bujqësore “për ata që e punonin”, ishte një vendim i marrë në kulmin e tranzicionit, me synim të ruhej kontrolli shtetëror dhe ndikimi i strukturave komuniste në fshat. Në vend që të rikthente pronën te të zotët e ligjshëm, ai zhduku çdo parim të pronës private dhe krijoi një kaos të pashembullt ligjor e shoqëror, që vazhdon ende sot.

Me këtë ligj, Shqipëria u fut në një proces vëllavrasës, ku mijëra qytetarë u përfshinë në konflikte pronësie, gjyqe pa fund, dhunë e madje dhe tragjedi njerëzore.

Ky ishte një ligj i konceptuar dhe miratuar me udhëzimet direkte të Ramiz Alisë, që kërkonte të shmangte kthimin e pronave tek ish-pronarët para vitit 1945 dhe të ruante strukturat e vjetra të pushtetit lokal. Pra, jo opozita, por vetë trashëgimia politike e PS-së ka përgjegjësinë historike për plagën që ligji 7501 i hapi vendit.

Sot, ministri e shtrembëron historinë

Kur ministri Lamallari përpiqet ta lidhë ligjin 7501 me “trashëgiminë e një sistemi të mbrapshtë”, ai harron ose zgjedh të harrojë se ky ligj është pikërisht produkti i atij sistemi dhe i udhëzimeve të liderit të fundit komunist të Shqipërisë.

Fjalët e tij duken si një përpjekje për të larë duart nga përgjegjësia politike e trashëguar nga e majta, duke e zhvendosur fajin tek opozita apo “sistemet e vjetra”, pa përmendur se kush e hartoi, miratoi dhe zbatoi atë ligj.

Trashëgimia që ende prodhon viktima

Rasti i fundit i gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili gjykonte një çështje pronësie, është vetëm një shembull tragjik i zinxhirit që nisi në vitin 1991. Çdo përpjekje për ta justifikuar këtë situatë duke akuzuar “të tjerët” është një shtrembërim i historisë dhe një fyerje për mijëra qytetarë që ende vuajnë pasojat e ligjit famëkeq 7501.

Ligji që dikur u prezantua si “barazi për të gjithë”, në të vërtetë solli pabarazi, përçarje dhe vëllavrasje – një plagë që as reformat, as retorika politike nuk e kanë shëruar dot. Dhe për aq kohë sa kjo e vërtetë fshihet, drejtësia për pronën dhe për viktimat e saj do të mbetet një premtim bosh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related