Kryeministri Edi Rama ka dhënë dje sinjale se drejtësia mund të godasë sërish brenda mazhorancës socialiste. Në një deklaratë të fortë gjatë një takim me kandidatët për deputetë në Shirokë, ai paralajmëroi socialistët se nuk do të mbrojë askënd që ka shkelur ligjin dhe është përfshirë në afera korruptive, mesazh ky që fshikullon direkt ata bashkëpunëtorë të tij që kanë “ngrënë kumbulla” pas shpinës së tij, duke shtuar kështu ankthin në radhët e PS.
“Ne e kemi të qartë vijën, kush është këtu për qëllimin e përbashkët është i nderuar, kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës sonë të shkojë atje ku ka vendin”, deklaroi ai. Më tej kryeministri Rama nënvizoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që garanton vijimësinë e reformës në drejtësi. Ai deklaroi se për herë të parë në histori, pushteti politik i ka dorëzuar shpatën e ndëshkimit drejtësisë, duke theksuar se nuk ka më mbrojtje për ata që devijojnë nga rruga e ligjit. Por mesazhi i tij vjen në një moment kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton zyrtarë të lartë dhe pritet të godasë sërish.
