Pa i mbushur dy muaj nga largimi pas vendimit të administratës Trump, menjëherë sapo ai mori pushtetin dhe urdhëroi ndërprerjen e fondeve ndërkombëtare, ekspertët amerikanë janë rikthyer në Shqipëri. Rikthimi i tyre pritet të sjellë lëvizje të reja dhe tension në kampin e atyre që ndihen të rrezikuar nga drejtësia e re. Paraditen e djeshme, një prej ekspertëve të OPDAT, agjencisë së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ka hyrë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ky zhvillim ka rikthyer vëmendjen te roli i amerikanëve në reformën në drejtësi dhe ka alarmuar ata që kanë frikë se mund të jenë shënjestra të reja të hetimeve.
Largimi i përkohshëm i ekspertëve nga SPAK dhe GJKKO u interpretua nga mediat, kreu i PD, Sali Berisha, që tashmë është vetë i pandehur për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të opozitës si një braktisje e reformës në drejtësi nga SHBA. Rama tha në 25 shkurt të këtij viti, se Amerika nuk është më që të mbrojë SPAK-un dhe se ai mund ta shkrijë SPAK-un kur të dojë, mjafton t’i fishkëllejë një herë Bufit të Kënetës, duke iu referuar Sali Berishës.
“Tani Amerika nuk është më. Amerika i kishte njerëzit e vetë që asistonin SPAK, hynin e dilnin në mëngjes e pasdite tek stacioni i Trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë fjalë të ambasadës amerikane”, tha Rama. Por kjo lëvizje nga administrata “Trump” ndryshon narrativën, duke treguar se mbështetja amerikane për drejtësinë në Shqipëri mbetet e fortë. Me dosjet e nxehta gati dhe ekspertët amerikanë për të asistuar drejtësinë e re, pritet që maji të sjellë zhvillime të bujshme. Kush ka llogari për të dhënë, duket se nuk do ta ketë më të lehtë të shmanget.
