Robert Papa, një gazetar shqiptar në Amerikë, ka deklaruar në një intervistë televizive se dosja McGonigal është një ngjarje shumë serioze që përfshin figura të larta të politikës dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se kjo dosje i ofron opozitës një mundësi të fortë për të zbuluar lidhjet e kryeministrit Edi Rama me krimin.
Papa shpjegoi se dosja përmban mbi 8 mijë faqe dhe përfshin përgjime që lidhen drejtpërdrejt me Ramën, të cilat dëshmojnë lidhjet e tij me korrupsionin dhe aktivitete kriminale. Ai shtoi se McGonigal ka pranuar dy akuza të rënda për korrupsion dhe pastrim parash.
Gazetari theksoi gjithashtu se hetimi, i ndjekur nga FBI, tregon se pushteti në Shqipëri ka arritur të depërtojë edhe në nivele të larta ndërkombëtare, duke ndikuar në institucionet kryesore të drejtësisë. Ai i bëri thirrje SPAK-ut të shqyrtojë dosjen e McGonigal dhe të hetojë lidhjet e Ramës me krimin, duke e përdorur këtë mundësi për të kërkuar drejtësi dhe të dëshmojë ndikimin e pushtetit shqiptar në nivelet më të larta.
