Brukseli i “hedh në erë” fushatën Edi Ramës, shtyhet pa afat procesi i negociatave për Shqipërinë, slogani…

Data

Pas 12 vitesh në pushtet dhe një repertori të pasur premtimesh të ricikluara, kryeministri Edi Rama e ka kthyer integrimin në BE në një refren elektoral, të përshtatshëm për çdo stinë zgjedhjesh. Por këtë herë, orkestrës së tij elektorale i është këputur teli kryesor: Brukseli nuk bie pre e premtimeve boshe dhe, në vend që t’i hapë rrugën propagandës qeveritare, ka vendosur të shtyjë pa afat hapjen e dy kapitujve negociues dhe dy konferencave ndërqeveritare. Në një moment aspak të përshtatshëm për ambiciet elektorale të Ramës, Presidenca polake nuk ka mundur të bindë shtetet anëtare për të vijuar me negociatat, duke e lidhur këtë proces me zgjedhjet e 11 majit. Si për ironi të fatit, pikërisht ato zgjedhje ku Rama kërkon mandatin e radhës me premtimin: “Më jepni votën për t’u futur në BE”. Por Brukseli nuk e sheh këtë si një ofertë bindëse. Përkundrazi, ministrja Majlinda Dhuka dhe ministrja e Shtetit për Administratën Adea Pirdeni, që shkuan në Bruksel më 18 mars me valixhet plot me fjalime optimiste dhe tone entuziaste, u kthyen me duart bosh.

As ambasadorët e 27 shteteve anëtare nuk i kanë gëlltitur broçkullat elektorale të Tiranës dhe, si pasojë, konferencat e parashikuara për mars dhe prill janë shtyrë pa afat. E thënë më thjeshtë: Në BE, besojnë më shumë te faktet sesa te fushatat e shndërruara në spektakël. Dhe faktet tregojnë se Shqipëria duhet të presë, ndoshta deri pas zgjedhjeve të 11 majit, për të parë se sa vërtet është e përkushtuar për të përmbushur standardet e kërkuara nga OSBE-ODIHR. Në këtë situatë, fushata e Edi Ramës ka marrë një shuplakë të rëndë nga Brukseli, i cili, në vend që t’i japë qeverisë një tjetër shans për t’u mburrur, ka vendosur ta lërë të presë. Rama, madje ndryshoi së fundmi dhe foton e profilit në rrjetin social Facebook duke i treguar shqiptarëve rrugën drejt familjes europiane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related