Marrëveshja e firmosur me Shqipërinë, do ti kushtojë buxhetit Italian 12 milionë euro në vitin parë të zbatimit, ku përfitues pritet të jenë 1387 persona. Detajet janë të përcaktuara në dokumentin e dorëzuar në Senatin Italian, ku në 5 mars kaloi për miratim marrëveshja e përbashkët, e cila një javë më pas u firmos edhe nga Presidenti i Italisë Sergio Mattarella.
Nisur nga praktika që ndiqet, ligji pritet të jap efektet e para në muajin Qershor, pra gati dy muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, teksa mësohet se një pjesë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje kanë nisur, që të dorëzojnë aplikimet e para. Të dhënat tregojnë se në total deri në vitin 2020, janë 433,789 shtetas shqiptarë, që kanë paguar sigurimet shoqërore në Itali.
Ndërkohë, referuar regjistrit të kontributeve janë 30 614 mijë persona (duke marrë në konsideratë këtu kategorinë e atyre që në 2020 janë të grupmoshës 55-64 vjeç dhe që aktualisht janë 60-69 vjeç) që mund të përfitojnë nga ligji pension të parakohshëm, nëse kanë plotësuar mbi 42 vite kontribute bashkuar periudhat në Shqipëri dhe Itali dhe pension pleqërie duke plotësuar kriterin e moshës që është 67 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë.
