PS shkon e përçarë në zgjedhje, si po “hanë kokat” e njëri-tjetrit kandidatët e listave të hapura, brryla, thika pas…

Data

Partia Socialiste duket se po shkon drejt zgjedhjeve të 11 majit më e përçarë se kurrë dhe me tensione të brendshme që po minojnë stabilitetin e saj. Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të përjashtuar nga listat fituese shumë deputetë aktualë ka ndezur një betejë të ashpër mes socialistëve, ku lufta për mbijetesë politike është shndërruar në një arenë brrylash dhe intrigash. Ata që u lanë jashtë listave të sigurta kanë nisur një ofensivë të hapur, jo vetëm ndaj rivalëve politikë, por edhe ndaj kolegëve të tyre brenda partisë. Gara nuk është më vetëm kundër opozitës, por edhe brenda llojit, ku secili përpiqet të sigurojë vota duke sfiduar hapur urdhrat e lidershipit socialist. Mësohet se disa kandidatë kanë nisur të kërkojnë mbështetje edhe jashtë zonave të tyre elektorale, duke përmbysur strategjinë tradicionale të fushatës dhe duke sfiduar kontrollin e Ramës mbi partinë.

Një nga figurat më të zëshme në këtë revoltë të heshtur është Erion Braçe, ish-zv/kryeministri dhe një ndër socialistët e vjetër që nuk e ka fshehur mllefin ndaj Ramës. Me kritika të forta për drejtimin e partisë dhe politikat qeveritare, ai ka sinjalizuar hapur pakënaqësinë e një pjese të socialistëve që ndihen të anashkaluar. Nga ana tjetër, përçarja nuk është vetëm mes socialistëve veteranë dhe të rinjve të promovuar nga Rama, por edhe mes atyre që ndihen të “tradhtuar” nga lista e re e kandidatëve. Mirëpo ky zhvillim ka tronditur jo vetëm strukturat e PS-së, por ka krijuar një pasiguri të madhe për ecurinë e fushatës. Me opozitën që po shfrytëzon çdo krizë të socialistëve për të goditur qeverinë, Partia Socialiste po përballet me një sfidë të dyfishtë: të ruajë unitetin e brendshëm apo të bindë elektoratin për një fitore të sigurt. Në këtë klimë të tensionuar, socialistët nuk janë më një front i bashkuar, por një fushë beteje ku secili lufton për mbijetesë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related