Mijëra llogari bankare që i përkasin qytetarëve kredimarrës tek kompanitë zhvatëse “Final” dhe “Micro Credit Albania”, janë liruar në 11 banka të nivelit të dytë në Shqipëri.
“Ora News” ka mësuar se lirimi i aseteve financiare të qytetarëve që qëndronin të bllokuara nga përmbaruesit privatë, për llogari të dy kompanive të mësipërme, janë liruar në fund të muajit Gusht 2024.
Vendimi për lirimin e tyre në 11 banka, mban datën 26 Gusht 2024 dhe është marrë nga prokurorja e çështjes Antoneta Sevdarasi. Por përmes një shkrese përcjellëse të firmosur nga drejtuesja e seksionit në prokurorinë e Tiranës, Suela Salavaçi, vendimi i është përcjellë bankave të ndryshme, duke dërguar informacion për heqjen e sekuestros të llogarive bankare.
Këto sekuestro ishin vendosur nga disa përmbarues që ishin kontraktuar nga “Final” dhe “Micro Credit Albania”, të cilët duke respektuar vendimet e gjykatave kanë urdhëruar 11 banka të bllokojnë llogaritë bankare të personave debitorë.
Por tashmë urdhrat e ekzekutimit të tyre kanë dalë “nul”, pasi prokuroria e Tiranës përmes vendimit të Gushtit 2024 mori kompetencat e përmbaruesve privatë, duke urdhëruar menjëherë lirimin të mijëra llogarive bankare, pa pasur asnjë vendim gjykate dhe njëherësh pa pritur të përfundojë çështja penale kundër administratorëve të shoqërive kredidhënëse “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
