SPAK i ka hapur një dosje të re Erion Veliajt, aktualisht prej rreth 90 faqesh, e pranuar dhe nga vetë kryebashkiaku, në lidhje me dyshimet se ai ka “orkestruar” nga qelia sulme drejt prokurorëve dhe gjyqtarëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Fillimisht i përgjoi bisedat me të vëllain dhe bashkëshorten nga paraburgimi i Durrësit, të cilat u përdorën për të përforcuar faktet dhe argumentat për ta lënë në qeli edhe pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Ndërkohë së fundmi, burime për mediat bëjnë me dije se hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së paraburgimit të Durrësit dhe regjistrat e institucionit ku shënohen takimet me të paraburgosurit.
Mësohet se SPAK do të analizojë hyrje-daljet në paraburgimin e Durrësit dhe hetuesit do të identifikojnë dhe do të marrin në pyetje të gjithë personat që e kanë takuar.
Burime për mediat bëjnë me dije po ashtu se SPAK do të verifikojë edhe nëse Erion Veliaj ka përfituar trajtim të favorshëm në krahasim me të paraburgosurit e tjerë, duke iu lejuar më shumë takime me familjarët apo persona të tjerë.
