Në politikë, kur gjithçka duket si një krizë personale, shpesh rezulton të jetë një plan i menduar mirë. Dhe kur fjala është për deputeten Monika Kryemadhi dhe ish-presidentin Ilir Meta, asgjë nuk është rastësore. Divorci i tyre, që së fundmi po besohej nga të gjithë si një ndarje e vërtetë, rezulton se është një lëvizje strategjike për të shpëtuar nga grackat e drejtësisë. Thënia e vjetër “deri sa vdekja të na ndajë” në këtë rast u modifikua nga Meta e Kryemadhi me shprehjen: “deri sa SPAK-u të na ndajë.” Këtë pazar e ka dekonspiruar vetë Kryemadhi. Ditën e djeshme, ajo ndau në “Facebook” një reagim të ish-deputetes së LSI-së, Miranda Rira, ku mbështetja për Metën ishte aq e fortë sa thuajse e bënte të pavlefshëm gjithë diskursin e mëparshëm të Kryemadhit mbi distancimin nga bashkëshorti i saj i arrestuar.
“Unë nuk i braktis kurrë njerëzit, sidomos kur ata janë në momentin më të vështirë të jetës së tyre. Po, mund të kem mendim ndryshe, diskutime dhe debate por qëndrimi im ndaj tyre bazohet në parimin e mirënjohjes, qëndrueshmërisë dhe sakrificës, no matter what! Këto përmblidhen në atë që quhet karakter dhe kjo qëndron për çdo marrëdhënie njerëzore që unë ndërtoj. Me ty Ilir Meta, në çdo hap dhe në çdo sfidë!”, deklaron Rira, ndërsa Monika e pëlqen dhe e aprovon me një entuziazëm që habiti ndjekësit e saj. Deri dje, Kryemadhi thoshte se nuk kishte pasur asnjë komunikim me Metën pas arrestimit të tij, madje duke e paraqitur si viktimë të një komploti të errët që e kishte ndarë çiftin.
