Instituti për Krimet e Komunizmit (ISKK), duket se është përfshirë në një skandal të rëndë, ku Çelo Hoxha vijon të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv edhe pse mandati i tij ka përfunduar zyrtarisht në dhjetor 2024, ndërkohë që është zgjedhur në këtë post në dhjetor të vitit 2019. Në shkelje flagrante të ligjit, dyshohet se Hoxha vijon të qëndrojë në detyrë falë mbështetjes direkte të kryeministrit Edi Rama dhe një botuesi të njohur mediash, të cilët kanë bërë të pamundurën për ta mbajtur atë në krye të institucionit. Sipas ligjit, mandati i drejtorit të ISKK është pesë vjet dhe nuk mund të zgjatet pa një proces të rregullt zgjedhor, të mbikëqyrur nga Bordi i Institutit dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Megjithatë edhe pse kanë kaluar disa muaj, asnjë proces i tillë nuk është zhvilluar, duke ngritur dyshime të forta mbi një skenar të qëllimshëm për të mbajtur në pushtet një figurë kontroverse si Çelo Hoxha. Zoti Hoxha njihet për qëndrimet e tij të ashpra kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe është akuzuar se po përdor institucionin për të rishkruar historinë sipas interesave të caktuara politike. Por qëndrimi i tij në detyrë, pavarësisht përfundimit të mandatit, është një precedent i rrezikshëm që tregon se qeveria dhe segmente të caktuara të medias janë të gatshme të manipulojnë ligjin për të mbajtur në poste individë që i shërbejnë axhendave të tyre
Kjo situatë skandaloze ngre pikëpyetje të mëdha mbi rolin e Bordit të Institutit, i cili sipas ligjit ka kompetencën për të shkarkuar dhe emëruar drejtorin ekzekutiv. Pse Bordi nuk ka vepruar ende? A është i bllokuar politikisht apo i kapur nga interesat e Edi Ramës dhe qarqeve të tij mediatike? Kjo çështje kërkon një reagim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë, për të ndalur këtë shkelje të hapur të ligjit dhe për të rikthyer legjitimitetin në një institucion që duhet të funksionojë mbi bazën e rregullave dhe jo interesave të ngushta politike.
