Kryeministri Edi Rama në vend që të shmangte emrat e përfolur nga drejtësia, ka zgjedhur rrugën më të drejtpërdrejtë, duke i vendosur ata në lista të sigurta. Në vend që të distancohet nga ministrat që rrezikojnë prangat, Rama ka zgjedhur një qasje më inovative: “Nëse janë në lista të sigurta, janë të sigurt edhe nga burgu”. Me një mazhorancë të fortë, ligjet mund të ndryshohen, hetimet mund të zvarriten dhe SPAK mund të lodhet duke dërguar letra. Dhe ndërkohë që prokurorët grumbullojnë prova, ministrat e Ramës grumbullojnë vota. Nga Pirro Vëngu, Belinda Balluku, Ulsi Manja, Ogerta Manastirliu, Arbjan Mazniku, Taulant Balla, apo Mirela Kumbaro të gjithë e kanë të paktën një çështje të hapur me drejtësinë. Kjo nuk ka ndikuar aspak në besimin që Rama ka ndaj tyre. Përkundrazi, ai i ka pozicionuar në lista të sigurta, duke treguar se hetimet nuk përbëjnë pengesë për të qenë pjesë e elitës drejtuese të vendit.
Nga tenderat e dyshimtë, tek shpërdorimi i detyrës
Belinda Balluku-Ministrja e Infrastrukturës është përfolur për tendera të dyshimtë dhe koncesione me vlerë marramendëse. Një numër hetimesh kanë nisur në SPAK për mënyrën se si janë ndarë fondet publike, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin e saj në listën e kandidatëve të PS-së. SPAK ka zbardhur qindra përgjime që implikojnë Ballukun në batërdinë miliona euro që bashkë me drejtorët e saj të arrestuar dhe nën hetim i kanë bërë dhe po i bëjnë buxhetit të shtetit. Madje hetimet e aferës së Tunelit të Llogarasë nga SPAK janë drejt fundit. Kjo dosje “gropos” Belinda Ballukun. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshmitë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
