Kryeministri Edi Rama ka deklaruar së fundmi në një takim me gratë se në listat e mbyllura të Partisë Socialiste do të jenë figura të reja socialiste, përfshirë vajza, gra dhe djem të paangazhuar më herët në politikën aktive. “Në listat e mbyllura do kemi djem, vajza dhe gra që janë forca e të resë, forca e gruas dhe forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030. Në gjithë pjesën tjetër të skuadrës do të përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe burrat luftëtarë do të jenë aty për të shkuar dhe fituar në territor vota për PS-në”, u shpreh kryeministri. Kjo do të thotë se plani i Ramës është të pastrojë Partinë Socialiste nga veteranët, aksion që e ka nisur që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe atyre të 25 prillit të 2021. Bie në sy se shumë emra që kanë pasur peshë dhe kanë kontribuar në vite në PS si themelues e socialistë të vjetër, nuk janë më deputetë dhe ata që i mbijetuan reformës radiale të aplikuar nga kryeministri Rama rrezikojnë të “digjen” në zgjedhjet e 11 majit.
Rreth 50 emra të larguar në 2 zgjedhjet e fundit
Kryesocialisti Rama ka lënë jashtë, duke i përjashtuar edhe nga ofiqet partiake plot 13 veteranë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Festivalin e largimeve e hapi ish-ministrja Arta Dade, e cila sot që flasim nuk është më deputete, pasi shefi i selisë rozë vendosi të mos e kandidonte në atë kohë. Po ashtu, një tjetër emër që ka pasur peshë dhe hyn tek themeluesit e PS, është ish-kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, i cili gjithashtu u la jashtë listave të deputetëve në vitin 2017.
