Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi do të vazhdojë të qëndrojë në masë sigurie “arrest në shtëpi”. Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dje kërkesën e tij, një javë pas asaj të Sali Berishës, dhe e ka rrëzuar si çështje sepse nuk ka pasur kuorum të nevojshëm. Ditë më parë, edhe vendimi për ish-kryeministrin Sali Berisha u cilësua si i drejtë nga anëtarët e kësaj gjykate, ndërkohë që pak ditë më pas Gjykata e Posaçme i dha atij “lirinë”.
Në kushtet kur gjyqtarja kushtetuese Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen dhe vendi i saj ka mbetur bosh, është vendosur që kërkesa e bërë nga Jamarbër Malltezi për të dalë dhe ai nga arresti shtëpiak, të rrëzohet sepse nuk është formuar dot shumica e nevojshme vendimmarrëse prej 5 anëtarësh. “Në datën 05.12.2024, Gjykata Kushtetuese ( Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Jamarbër Malltezi, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 116, datë 23.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. Sali Berisha akuzohej për veprën penale “Korrupsion pasiv” për dosjen “Partizani”, ndërsa Jamarbër Malltezi për akuzat “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, për të njëjtën dosje.
Faktet penale në ngarkim Sali Berishës dhe Malltezit
“Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga: Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.
