Këtë mëngjes kur hapa celularin, u gjenda përballë një vërshimi jo normal mesazhesh që lidheshin pohuajse të gjitha me episodin e pakëndshëm të largimit tim nga emisioni “Të Paekspozuarit” i Ylli Rakipit. Disa, duke më nisur dhe sekuencën video të programit më qanin hallin për pozitën e mjerueshme ku kisha përfunduar, pa u lënë të shpreh një mendim të vetëm, për gati gjysëm ore të plotë. Të tjerë më fshikullonin për gjaknxehtësinë e largimit nga studioja dhe për fjalorin e përdorur teksa bëja këtë veprim.
Një palë e tretë më justifikonin duke më ngushëlluar se askush nuk ka pse qëndron si trung në një arenë, ku logjika është e dënuar të vritet me çdo kusht, nga histeria e britmave populiste.
S’do të isha marrë fare me këtë incident banal, nëse rrethanat që e pollën atë nuk do të kishin qenë thelbësisht të rëndësishme. Në tryezë ishim mbledhur për të diskutuar një ngjarje të mbështjellë me aureolën e një skandali: Daljen e dokumentit se SPAK kishte vënë nën përgjim një anëtar të një Gjykatës Kushtetuese, për një çështje ku Prokuroria e Posaçme ishte vetë palë: atë akuzuarit për krime të rënda, Pëllumb Gjoka.
Tema qëndrore ishte a do përdoreshin përgjimet e SKY ECC për ta mbajtur atë në burg, apo ato nuk do të konsideroheshin si prova, duke i hapur kështu udhën e pafajsisë, shumë kriminelëve dhe politikanëve të kapur në rrjetën hetuesve francezë dhe belgë. Pra çështja ishte e një rëndësie të veçantë. Nisur nga kjo, SPAK, për të cilin këto të dhëna janë tejet të rëndësishme për një sërë procesesh të mëdha, dyshoi me të drejtë se mund të ketë pasur presion nga bandat dhe nga politika për ti zhbërë të dhënat e nxjerra nga telefonët e kriptuar. Ata pretendojnë që kanë pasur indicie se njerëz të fuqishëm kanë tentuar të korruptojnë gjyqtarin Gent Ibrahimi, prandaj kanë vendosur ta përgjojnë atë, për 15 ditë, në periudhën midis marrjes së vendimit 8-0 kundër Pëllumb Gjokës, pra lënies së tij në burg dhe kohës që duhej për të arsyetuar këtë vendim.
