Aktivistja e njohur, Evi Kokalari që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë thirrje për një ndryshim të rrënjësishëm në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një lider konservator të paepur. Ajo ka përmendur modele si Javier Milei dhe Giorgia Meloni, të cilët nuk bëjnë kompromis me sistemin e korruptuar. Sipas saj, një lider i tillë duhet të jetë i papërkulur përballë mafias lokale, Berishës, Ramës dhe gjithë sistemit të korruptuar që ata përfaqësojnë, përfshirë oligarkët dhe mediat që i ndjekin. “Nëse një person i tillë vjen në Shqipëri, vendi mund të rilindë brenda 12 muajsh,” thekson Kokalari, duke shtuar se ky ndryshim mund të ndodhë duke futur në burg të gjithë kupolën mashtruese dhe duke hapur tregun e lirë për të nxitur frymëmarrjen e biznesit privat. Mesazhi i saj është një thirrje për reformim rrënjësor, duke vendosur drejtësinë dhe lirinë ekonomike në qendër të vizionit për një Shqipëri të re.
“Shqipëria ka nevojë për një dorë të fortë konservatorizmi, të tipit që nuk bën asnjë kompromis, dhe këtu kam parasysh Milein dhe Melonin, e jo lëpirësit e Putinit si Orbani dhe ata të AfD-së. Shqipëria ka nevojë për një njeri që as nuk intimidohet nga mafia lokale dhe as nuk i bën përshtypje Berishave e Ramave, me gjithë mediat dhe minionët që i ndjekin. Nëse Shqipërisë i vjen një person i tillë, ai vend bëhet brenda 12 muajsh duke futur të gjithë kupolën mashtruese në burg dhe duke hapur tregun e lirë që të fillojë të marrë frymë biznesi privat”, u shpreh Kokalari.
