Pas një periudhe të gjatë në të cilën administrata e Erion Veliajt kishte marrë pushtetin në Bashkinë e Tiranës, një ndryshim rrënjësor ka ardhur për të tronditur gjithçka. Kryeministri Edi Rama, i cili “de facto” ka marrë kontrollin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, po lëviz tani për të realizuar një spastrim të thellë nga e gjithë struktura e drejtorëve që janë emëruar nën administratën e Veliajt. Rama e sheh si të domosdoshme të pastrojë çdo ndikim të mundshëm të “regjimit” Veliaj në Bashki.
Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se drejtori i policisë bashkiake, ka dhënë dorëheqjen, duke e sinjalizuar kështu “tërmetin” që pritet të përfshijë bashkinë nga Edi Rama. Plani i kryeministrit nuk është vetëm një ndryshim administrativ. Ky është një spastrim që i jep mundësinë Ramës për një ristrukturim të thellë me pushtetin për të ndërtuar një bazë të re, me individë të besuar, të cilët do të jenë të gatshëm të mbështesin çdo lëvizje të tij, edhe në nivelin bashkiak. Kjo lëvizje politike është gjithashtu një mënyrë për t’u distancuar plotësisht nga ndikimi i mëparshëm i Veliajt dhe për të krijuar një administratë të re, që do të ketë gjithmonë në fokus kontrollin e plotë të qytetit dhe të fondeve të tij.
