Për më pak se 48 orë qytetarët e Kosovës do tu drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tregoi shanset që partia e tij ka për të fituar zgjedhjet.
I ftuar në “Top Story”, ai u ndal dhe te koalicioni i mundshëm me Partinë Vetëvendosja, diçka që ai nuk e sheh të mundur. Krasniqi gjatë intervistës foli edhe lidhur me kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, që sipas tij është më i përgatitur dhe me më shumë përvojë.
“E para punës, zgjedhjet aktualisht nuk janë kryer. Numri i të pavendosurve është më i madh se distanca që kemi ne dhe Vetëvendosja mes njëri-tjetrit. Rezultati final do të vendoset nga ajo. Ju siguroj që Partia Demokratike është e gatshme deri në fund dhe rruga që kemi ecur me kandidatin tonë për kryeministër, do të jetë e mjaftueshme për të marrë besimin qytetar dhe popullor për t’i fituar këto zgjedhje, sepse aktualisht numri i të pavendosurve është 12-15%. Sipas sondazheve të besueshme, përtej këtyre që ndonjëherë përdoren dhe pak për propagandë…
Ne jemi në garë për vendin e parë dhe për të krijuar qeverinë e ardhshme. Unë asnjëherë nuk mund të them që raporti me ndërkombëtarët duhet të jetë pika kryesore e vendimmarrjes për të zgjedhur. Në fakt, kjo s’ka qenë fare pjesë e fushatës tonë. Kërkesa jonë për qytetarët është që të vendosin nëse po jetojnë më mirë sot sesa përpara katër vitesh. Është e thjeshtë, nëse qytetarët jetojnë më mirë, nëse familjet e Kosovës kanë mirëqenie më të madhe sot se përpara se të vinte Kurti në pushtet, ata do ta votojnë prapë.
Ne kemi një kandidat për kryeministër që është më i mirë se kandidatët e tjerë, është më i përgatitur, ka përvojë më shumë, ka integritet, ka profesionalizëm, është familjarë që i kupton hallet e qytetarëve të Kosovës, është i dëshmuar. Është një kandidat që fillon punën që në ditën e parë.
