Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për hartimin e ligjeve që favorizojnë oligarkët dhe ndëshkojnë qytetarët e ndershëm. Ajo i lidh këto akuza me nismat ligjore të fundit, përfshirë atë për zgjatjen e afatit për marrjen e statusit “investitor strategjik”.
Tabaku theksoi se Shqipëria po kalon një krizë të thellë ekonomike, me të ardhura të ulëta për frymë dhe pensione më të ulëta se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo kritikoi ashpër mazhorancën socialiste, duke e akuzuar se nuk merret me problemet e shumicës, por përpiqet të pasurojë pakicën. Tabaku e cilësoi këtë një sistem të pandershëm që favorizon oligarkët, ndërkohë që shtresa e mesme dhe qytetarët e ndershëm janë të detyruar të përballen me taksa të larta dhe çmime të rritura.
